Skip to main content

Ngushtohet Rrethimi ndaj Markoviqit

Mirjana Markoviq, gruaja e të akuzuarit nga Haga sllobodan Millosheviq, mund të arrestohet së shpejti.

Ngushtohet Rrethimi ndaj Markoviqit

Mirjana Markoviq, gruaja e të akuzuarit nga Haga sllobodan Millosheviq, mund të arrestohet së shpejti.

IWPR ka mësuar se autoritetet Serbe "kanë pritur të ulet zhurma" e shkaktuar nga ekstradimi i Sllobodan Millosheviqit, përpara se të nisin një hetim zyrtar për aktivitetin e gruas së tij, Mirjana Markoviq.


Një burim nga policia e Beogradit ka thënë se Markoviq është vënë nën hetim prej disa muajsh për përfshirjen e saj në krimet e luftës, përvetësim të fondeve shtetërore dhe dyshimet për vrasjen e redaktorit të gazetës Slavko Curuvija. "Gjërat bëhen me faza," ka thënë burimi, "por arrestimi patjetër që do të bëhet".


Një burim i IWPR-së në sistemin gjyqësor të Beogradit i ka konfirmuar këto zëra, duke shtuar se një numër dëshmitarësh të mundëshëm janë marrë në pyetje.


Zëvendës Prokurori Sinisha Simiq, i cili kryeson departamentin e drejtësisë kriminale në Zyrën Rajonale të Prokurorit në Beograd, ka thënë për IWPR-në se ai kishte paraqitur një kërkesë për një transkriptim të një takimi ndërmjet policisë dhe Markoviq në Nëntorin e kaluar.


"Unë e kam paraqitur këtë kërkesë për shkak të hetimit të Slavko Curuvijas," ka thënë Simiq. Curuvija, i cili ka qenë redaktor i Dnevni Telegraf dhe Evrpljanin, është vrarë më 6 Prill të vitit 1999 ndërsa mbi Beograd kishin filluar bombardimet e para. Treditë më parë, Markoviq kishte "nxitur" botimin e një artikulli të titulluar "Curuvija Kërkon Bombardimet", në të përditëshmen Politika Ekspres.


"Disa ditë më parë, Dragan Karleusa, drejtues i policisë kriminale në Beograd, më ka thënë se hetimi po përparonte dhe se unë do të informohem së shpejti për rezultatet," ka thënë Simiq.


Sipas burimeve të IWPR-së, policia ka tashmë prova të mjaftueshme për të hapur një çështje penale. Ata ajnë përmbajtur për ta bërë arrestimin për shkak të frikës politike se publiku mund ta konsiderojë atë si një persekutim të familjes Millosheviq.


Markoviq është i vetmi anëtar i familjes ende i paprekur nga sistemi gjyqësor. Gjykata e rrethit në Pozharevac po heton për djalin e saj Marko për abuzime ndaj anëtarëve të Otpor. Dhe vajza e saj Marija është nën hetim se ka hapur zjarr me një armë pa leje ndërsa po arrestohej babai i saj.


Asaj i është konfiskuar pasaporta, duke mos e lejuar atë të shoqërojë nënën e saj në Hagë për të vizituar Sllobodanin.


Zyrtarë të lartë të së Majtës Jugosllave, JUL, partia e drejtuar nga Markoviq, mendojnë se arrestimi i saj është shumë i afërt. Zëdhënësja e JUL, Dragana Kuzmanoviq thotë se ajo nuk ka asnjë informacion për ndonjë hetim ndaj Markoviqit, por policia ka ngacmuar kolegët e partisë së saj që prej disa muajsh. "Ka filluar një gjueti shtrigash," thotë ajo. "Policia ka hyrë në shtëpitë e kolegëve të partisë, i ka ndaluar ata dhe i ka mbajtur edhe për dy muaj në qeli".


Një avokat i cili mbron shpesh anëtarë të JUL-it, por që preferon të mos e japë emrin e tij, dyshon se ndalimi i ish bashkëpunëtorëve të Markoviqit është pjesë e një procesi policor për të mbledhur prova ndaj saj.


"Mirjana Markoviq kishte emëruar bashkëpunëtorët e saj si drejtues të ministrive, institucioneve dhe kompanive në pronësi të shtetit," ka thënë ai, "dhe më pas i ka lejuar të bëjnë çfarë të duan. Ka pasur shumë abuzime". Fitimet thuhest se kanë vajtur në xhepat e njerëzve por edhe për të financuar aktivitetin e JUL-it.


Hetimet zyrtare kanë nisur ndaj Bratislava Morina, ish ministre e refugjatëve, e cila dyshohet se ka përvetësuar 660,000 marka Gjermane; dhe ndaj Nikola Mitroviq, ish drejtor i Institutit të Radiologjisë dhe Onkologjisë, i cili dyshohet se ka mashtruar me importimin e ilaçeve kundër kancerit.


Nebojsha Maljkoviq dhe Milovan Gjuroviq mund të jenë gjithashtu dëshmitarë të rrezikshëm kundër Markoviqit. Ata janë arrestuar më 5 Tetor dhe pak kohë më pas janë larguar nga JUL.


Maljkoviq, ish drejtor i Kompanisë shtetërore Dunav të Sigurimeve, dyshohet se ka marrë fonde të kompanisë dhe i përdorur për fushatën elektorale të JUL-it. Gjuroviq i cili ka qenë drejtor i kompanive të sigurimit Alfa Plus dhe Globus, gjithashtu dyshohet se ka drejtuar fonde për tek JUL, ku ka qenë edhe drejtues i financave.


"Do të mjaftonte që ata të deklarojnë se Markoviq i ka kërkuar të abuzojnë me fondet e kompanive, dhe ajo do të kishte probleme të mëdha," thotë avokati.


Ka pak dyshime se të arrestuarve nga rradhët e JUL u është premtuar një kompromis. "Kjo është praktika e autoriteteve të reja," thotë Dushan Masiq, avokat mbrojtës i ish shefit të policisë sekrete Radomir Markoviq, gjatë një konference për shtyp të kohëve të fundit. "Klientit tim i është kërkuar në mënyrë të qartë të tregojë çdo gjë në mënyrë që të jetë më e lehtë për të mbledhur prova kundër Millosheviqit".


Dëshmitari më i rrezikshëm për Markoviqin për akuzat për krime lufte dhe rolin e saj në luftërat në Kroaci dhe Bosnje, është zëvendës kryeministri Serbe, Momçillo Perishiq, i cili drejton Lëvizjen për Serbinë Demokratike. Perishiq ka qenë shef i shtabit të Ushtrisë Jugosllave nga viti 1994 deri në 1999 dhe akuzohet se ka urdhëruar për bombardimin e qytetit të Zadarit në Kroaci.


Ai është shkarkuar në vitin 1998, siç thuhet për shkak të Markoviqit. "Ajo ka qenë armike e tij e betuar," ka thënë një nga miqtë e tij për IWPR-në. "Mungesa e tolerancës shkoi deri aty saqë ajo e ka fyer në publik. Perishiq është një dëshmitar që Mirjana Markoviq ka marrë pjesë shpesh në takimet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes ku janë marrë vendime shumë të rëndësishme. Ka proces verbale dhe dhënime që e vërtetojnë këtë fakt".


Megjithëse Markoviq mbetet kryetare e JUL, partia praktikisht është shpërbërë pas kryengritjes së 5 Tetorit. Kuzmanoviq thotë se ajo shkon rrallë në zyrat e partisë, por vazhdon të jetë e përfshirë në punët e saj. "Znj. Markoviq është nën një presion të madh për shkak të gjithë atyre që kanë ndodhur," thotë Kuzmanoviq, "por ajo është ende e fortë".


Por jo edhe për shumë kohë, nëse gjykohet nga hetimet e shpejta që po kryehen tani në Beograd. Sinisha R. Stanimiroviq ëstë një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists